Isuf Zejna: Reforma vetëm me ligjet e Administratës Publike

Autor: Isuf Zejna, LL.M.(Pittsburgh)

Komentim mbi Raportin e Progresit 2019, pika 2.1.2 – Reformat Administratë Publike

Kosova ka bërë aprovimin e një pako të ligjeve që kanë synim reformën në Administratë Publike, por aprovimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me një vullnet për zbatim në praktikë.Administrata Publike në Kosovë ështe e mbipopulluar dhe reforma së pari duhet të reduktojë numrin e zyrtarëve publik. Shpenzimi i 600 milion eurove për pagat e mbi 83,000 zyrtarëve publik është kosto e paarsyeshme dhe e cila mund të destinohet në zhvillim ekonomik.

Është krejtësisht e panevojshme të konstatohet se Administrata Publike në Kosovëështë shumë e madhe, joefikase dhe e rekrutuar mbi bazat e nepotizmit dhe lidhjeve të tjera joligjore. Ky fakt nuk na bënë shumë të ndryshëm nga shtetet tjera fqinje, ku situata nëadministratëpublike është po aq e keqe dhe me probleme të ngjashme.

Sa mirë do të ishte që qytetarët kur u drejtohen institucioneve administrative të mos kenë nevojë të dërgojnë kërkesa e shkresa formale por të komunikojnë drejtëpërdrejtë? Sa mirë do të ishte që për çështje administrative të mund të komunikohej me administratën nëpërmjet formave elektronike? Apo që shërbimet t’i marrim në mënyrë të automatizuar online dhe papagesë?

Në fakt që të gjitha këto janë të garantuara me legjislacionin kosovar, respektivisht me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Një ligj reformatorë i cili supozohet se do të lehtësonte jetën e qytetarit dhe të ngriste përgjegjshmërinë e zyrtarëve publik. Sidoqoftë deri më sot ky ligj, si shumë të tjerë nuk zbatohet nga administrata publike dhe rrjedhimisht qytetarëve u mohohen një numër i madh i të drejtave që i gëzojnë me ligj.Ministria e Administratës Publike (MAP) ka iniciuar një pako të guximshme ligjore të cilat në rast të zbatimit do tëpërmirësonin ndjeshëm kualitetin e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Por, problemi mbetet mungesa e vullnetit për të bërë zbatimin e këtyre ligjeve nga komunat, ministritë dhe agjencitë e tjera publike.

Ajo që është më se e qartë deri më tani është krijimi i kushteve jashtëzakonisht të mira për zyrtarët publik në Kosovë. Pagat në këtë sektorë në mesatare sillet rreth 600 euro, diçka qe sektori privat e ka të vështirë ta konkurrojë. Sidoqoftë, ky sektor edhe pse mirë i trajtuar marr në konsideratë gjendjen e zhvillimit ekonomik, nuk është as për së afërmi efikas sa duhet, për shkak të mungesës së bazave për njëkonkurrencë të brendshme.

Nëse shohim me kujdes vlerësimet e Komisionit Evropian në Raportin për Vendin të vitit 2019, është e qartë se i vetmi progres është aprovimi i ligjeve të reformës në Administratë Publike, por edhe aty shprehet shqetësimi i ndikimit buxhetor të Ligjit për Pagat. Sipas këtij raporti dhe të tjerëve para tij, Administrata Publike në Kosovë, vuan nga mungesa e llogaridhënies, rekrutimit meritor dhe parandalimit të ndikimit politik. Çështje tjetër që mbetet për tu adresuar është edhe racionalizimi i agjencive e bordeve të pavarura, të cilat në shumë raste janë oaza tëmosofrimit të llogarisë dhe punësimeve politike.

Kosova është edhe ashtu një vend me të kaluar dhe ndikim shumë të madh të mendësisë majtiste, ku sektori publik është gjithçka dhe rregullon tëçdo gjë. E ku sektori privat shihet me një dozë të dyshimit për shkak se operon për të fituar dhe si i tillë nuk ka qëllime “fisnike”.

Në mënyrë që të mos rrëshqitet në njëvend ku sektori publik ekziston për t’i shërbyer vetës së vet dhe punonjësve të saj, Kosova duhet që të bëjë zbatimin e ligjeve të cilat reformojnë Administratën Publike, rrisin efikasitetin e shërbimeve dhe krijojnë kulturën e shërbimit ndaj qytetarëve.Miratimi i ligjeve ishte një hap i mirë, por që të tjerë kërkohen në vazhdim për të siguruar zbatim efikas të tyre. Diçka që edhe Raporti i Komisioni Evropian sugjeron,është që sa më parë të bëhet harmonizimi i plotë i ligjeve me atë të Procedurës së Përgjithshme Administrative. Ky do të ishte një hap i madh në sigurimin një sistemi normativ të harmonizuar i cili nuk shkakton dykuptimësi në zbatim.

Është e ditur se reformat e vërteta në administratën publike do të vijnë vetëm atëherë kur politikanët në pushtet do të jenë të gatshëm të marrin rrezikun mbi supet e tyre, që të paguajnë me votë vendimet e vështira. Kjo pasi që pa bërë racionalizimin e numrit të ministrive, agjencive dhe zyrtarëve publik, veçanërisht ata të cilët i përkasin stafit politik, nuk mund të flitet për reformën e vërtetë.

Kosova nuk ka nevojë për 83.224 zyrtarë publik dhe nuk duhet të shpenzojë mbi 600 milion euro në paga të zyrtarëve publikdhe nuk duhet të shpenzojë edhe disa dhjetëra miliona euro në mbulimin e luksit të tyre. Zyrtarët e lartë për fotokopje duhet dërguar në shtëpi. Këto mjete mund të përdoren për të fuqizuar sektorin privat, rritur kualitetin e shërbimeve të edukimit, shëndetësinë dhe të tjera. Por është e qartë se kjo është më e lehte të thuhet sesa të bëhet veçanërisht për partitë politike ku diçka e tillë mund të kushtojë me votë në zgjedhje.