Autor: Artan Murati, Hulumtues i Lartë në KDI

 

KUR “PROGRESI I LIMITUAR” BËHET RUTINË: KOMISIONI EVROPIAN DHE MËSIMET PËR DEMOKRACINË PËRFAQËSUESE KOSOVARE

Komisioni Evropian tash e sa vite me rradhë publikon raporte të ndara për shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke shpërfaqur qëndrimet e veta rreth progresit dhe sfidave që këto shtete hasin në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Në këtë mes, përjashtim nuk bën as Republika e Kosovës, ku për çdo vit pranon raportin nga Komisioni, i cili si zakonisht, shihet e lexohet ndryshe, varësisht se nga cili pozicion interpretohet.

Qeveritarët e politika në përgjithësi, përmes llupës, kërkojnë pak fjalë pozitive të cilat mund të lexohen mes rreshtash për periudhat raportuese të Raportit, përderisa ekspertët dhe shoqëria civile në përgjithësi ofrojnë konkluzione më realiste mbi të gjeturat e Komisionit. E njëjta storje edhe këtë vit: Komisioni Evropian na kritikoj në shumicën absolute të fushave të cilat janë trajtuar nga Raporti, Qeverisë nuk iu duk shumë keq e ekspertët ngelën të alarmuar.

Kësaj rradhe, do të mundohem që me pak e fjalë e disa ilustrime të flas për dy fusha të cilat mbajnë gjallë demokracinë e një vendi: zgjedhjet dhe demokracia parlamentare. Të flasësh për Kuvendin në Kosovë nuk është shumë e vështirë. Në fakt, Kuvendi duhet të jetë një nga institucionet me punën e së cilit qytetarët janë mirë të njoftuar, sepse mund edhe ta përcjellin direkt, përmes televizionit, saherë që të zgjedhurit e tyre mblidhen në punë. Sipas KDI-së, organizatës së vetme që sistematikisht monitoron punën e Kuvendit, organi më i lartë legjislativ në vend është i paorganizuar, i bllokuar politikisht dhe duke funksionuar në kushte të vështira të polarizimit politik.

Për më tepër, KDI vlerëson se përgjatë 2018-tës, Kuvendi ka shënuar regres edhe në transparencën financiare, duke mos publikuar raportet periodike për shpenzimet e realizuara. Kjo në fakt, është pasqyra të cilën e paraqet në masë të madhe edhe Komisioni Evropian përmes raportit të publikuar para pak javësh. Raporti, ndër të tjera, potencon se Kuvendi nuk ka funksionuar mirë për shkak të polarizimit politik, bojkotit parlamentar dhe mungesës së kuorumit. Sikurse KDI, edhe Komisioni Evropian ka potencuar mungesën e debatit të mirëfilltë përgjatë miratimit të ligjeve, përkundër një numri relativisht të lartë të ligjeve të miratuara. Ndër aspektet kryesore të cilat KE i ka adresuar për punën e Kuvendit është edhe mbikëqyrja e dobët parlamentare ndaj ekzekutivit.

Ndonëse në këtë aspekt deputetët nuk mund të fajësohen në tërësi, për shkak edhe të neglizhencës së madhe që kabineti qeveritar i bënë Kuvendit, por gjithsesi kjo nuk i amniston deputetët për të kërkuar më shumë llogari nga Qeveria. I vetmi aspekt pozitiv i punës së Kuvendit, sipas KE-së, mbetet ratifikimki i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat poashtu u kaluar pas debateve të ashpra e ballafaqimeve të shumta politike.
Një çështje shumë e rëndësishme e cila është adresuar nga Komisioni Evropian lidhur me punën e Kuvendit është edhe trajtimi i Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, ku KE ka kërkuar nga deputetët që të mirren parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në fakt, ky Projektligj është një nga kryesorët, që determinon fatin e proceseve politike në vend. Deputetët, përmes amendamenteve në Komisionin për Buxhet dhe Financa, kanë treguar tendenca për përkeqësim serioz të transparencës financiare.

Më konkretisht, përmes amendamenteve në lexim të dytë, deputëtët cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, nuk adresojnë prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike; dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e Fondit, si dhe zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejonë zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës dhe zvogëlojnë gjobat për subjektet politike deri në 75%.

Sa i përket zgjedhjeve, situata mbetet e njëjtë nga periudhat paraprake raportuese. Komisioni Evropian ka potencuar edhe një herë problemet me listat e votuesve, financimin e fushatave të subjekteve politike, si dhe ka përmendur bllokimin e KQZ-së dhe pamundësinë e emërimit të anëtarëve të rinj të trupit menaxhues të zgjedhjeve. Raporti ka përmendur edhe dorëheqjen e Kryetarëve të Komunave në pjesën veriore të Kosovës, si shkak i vendosjes së tarifës 100% për produktet serbe. Pozitive shihet iniciativa e Kuvendit për të themeluar një komision ad-hoc për të trajtuar reformën elektorale. Raporti konkludon se disa nga rekomandimet e misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve gjatë vitit 2014 dhe 2017 nuk janë adresuar. Poashtu, sikurse në pjesën e Kuvendit, edhe tek zgjedhjet KE rekomandon që Ligji për Financimin e Subjekteve Politike duhet të jetë në linjë me rekomandimet e dala nga Komisioni i Venecias.

Që nga viti 2010, përveç fjalëve dhe deklarimeve mediale, në Kosovë nuk ka pasur vullnet politik për të inicuar reformë zgjedhore. Subjektet politike janë të pa-koordinuara dhe shumë të ndara në qëndrimet e tyre lidhur me ndryshimet potenciale në Ligjin për Zgjedhjet. Në anën tjetër, problemet e vazhdueshme me listat zgjedhore, votimin familjar dhe tendencën për regres në transparencën financiare të subjekteve politike jo që nuk janë adresuar nga politika kosovare, por as nuk është shfaqur vullnet për një gjë të tillë.

Elita politike kosovare duhet ta marrë seriozisht Kuvendin, zgjedhjet dhe demokracinë. Zgjedhjet e lira dhe të drejta janë parakusht për shtet-ndërtim dhe jetë të mirëfilltë institucionale, kurse Kuvendi funksional nënkupton shtet funksional. Në të dyja rastet, shoqëria civile ka qenë dhe mbetet shumë më e organizuar dhe më serioze në adresimin e problemeve sesa vetë institucionet. Kosova nuk guxon që të pranoj edhe një tjetër raport, me kryefjalën e zakonshme, progres i limituar.

 

Leave A Comment

Receive the latest news in your email
Table of content
Related articles