OP-ED: Një sistem, pak punë

Autor: Adrian Gjoshi, Avokat

Efikasiteti i gjyqësorit dhe, në përgjithësi, administrimi i drejtësisë, nuk pengohet aq shumë nga mangësitë e ligjit, sa pengohet nga kapaciteti i dobët dhe mungesa e angazhimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve tjerë të drejtësisë. Përderisa ka gjyqtarë e prokurorë që lëndët “komplekse” i lëjnë anash deri në parashkrim dhe që amnistojnë kriminelë të profilit të lartë, nuk mund të flitet për drejtësi.

Në fillim të këtij viti, pasi kishte muaj që kisha depozituar një padi për shkurorëzim martese dhe nuk kisha marrë thirrje për seancë, shkova në gjykatë për të pyetur për rastin. “Ky rast është i kryer” – më tha punonësja. Pyeta si është i kryer kur ende nuk ka filluar. Me bindje më tha se, po, ky rast është i kryer. E luta që të kërkonte më mirë, sepse kjo nuk kishte mundësi të ndodhte. Pas pak, erdhi dhe më kërkoi falje duke thënë se ka ndodhur një gabim, se rasti gabimisht është konsideruar si i kryer. Kjo kishte bërë që ky rast të rrinte shtatë muaj jashtë radhës për t’u futur në shqyrtim. Për t’u kryer shkurorëzimi, janë dashur më shumë se një vit, duke llogaritur kohën e pritur kot.

Në fakt, raste të ngjashme mund të ndodhin edhe gjetiu, por mungesa e menaxhimit të mirëfilltë të lëndëve është problem sistemik në Kosovë. Pavarësisht se raste të ndryshme, si në drejtësinë civile ashtu edhe në atë penale, sipas ligjit apo strategjive të shpallura, bëjnë pjesë në lëndët që gjykatat duhet t’i trajtojnë me prioritet; ato zgjasin me vite. Imagjinojeni dikë që, kërkon të drejtën pronësore, e i duhet të pres më shumë se dhjetë vite për të vendosur gjykata e shkallës së parë, apo një të akuzuar të suspenduar që duhet të pres më shumë se pesë vite që aktgjykimi të marr formën e prerë.

Si rëndom, edhe këtë vit, Kosova ka përparuar në aspektin normativ. Kuvendi ka nxjerrë ligje si për organet menaxhuese të sistemit të drejtësisë ashtu edhe ligje specifike që kanë për qëllim ndihmimin dhe përmirësimin e drejtësisë në vend. Rishikimi funksional dhe agjenda “Drejtësia 2020” e Ministrisë së Drejtësisë është projekt i duhur por, në bazë të praktikave, shumë ambicioz dhe vështirë se mund të sjellë suksesin e pretenduar.

Siç, me të drejtë del edhe nga Raporti i Progresit për vitin 2019, Kosova vetëm pjesërisht ka marr parasysh rekomandimet e dala nga raporti i vitit 2018, sa i përket, miratimit të reformave legjislative, regjistrit të rasteve dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore. Kjo ka bërë që të ketë sukses të pjesshëm në luftimin e krimit të organziuar dhe korrupsionit. Raporti i Progresit nuk mund të jetë pozitiv, kur rekomandimet e raportit paraprak vlejnë edhe vitin vijues kalendarik. Kjo nënkupton se nuk është punuar apo nuk është punuar sa duhet drejtë përmbushjes së këtyre rekomandimeve.

Nevojitet vullnet i fortë politik për të adresuar në mënyrë efektive problemet dhe pengesat që ndikojnë në mosvënie të duhur të drejtësisë. Nuk mund të ketë reagim të fuqishëm të drejtësisë penale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë pa vullnet politik.

Kontrollimi i tërësishëm dhe esktrem i sistemit të drejtësisë, është domosdoshmëri shtetërore për të pasur sundim të mirëfilltë të ligjit. Një gjë e tillë, është duke u penguar nga vendimmarrësit, të cilët as nuk flasin seriozisht për këtë, me frikën se, me luftimin e vërtetë të krimit, në të vërtetë mund ta luftojnë veten. Prandaj, për të ndërruar vullneti politik, duhet ndërruar vetëdijësimi i sovranit, që do të zgjidhte vendimmarrës të pastër dhe pro sundimit të ligjit.