Funksionalizohet Departamenti Special në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 8 Korrik 2019 – Pas krijimit të Prokurorisë Speciale, nga sot është funksionalizuar Departamenti Special në Gjykatën e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës. Këto departamente do të merren me trajtimin e lëndëve të korrupsionit e krimit të organizuar, që ngritën nga Prokuroria Speciale. Drejtues të institucioneve të drejtësisë thanë se krijimi i këtyre departamenteve do të jep rezultate pozitive.

Me këtë rast, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, tha se krijimi i këtyre departamenteve do të sjellë rezultate më të mira.
“Krijimi i Departamenteve Speciale në këto dy gjykata, do të ndikoj dukshëm në rritjen e efikasitetit, për trajtimin e lëndëve të cilat bien në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Këto lëndë do të trajtohen nga ky departament i specializuar dhe do të kenë trajtim të veçantë. Unë besoj se rezultatet në këtë drejtim do të jenë evidente. Po ashtu, konsideroj se këto departamente do të bëjnë të mundur edhe unifikimin e politikave ndëshkimore”, tha kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj“.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se krijimi i Departamentit Special është një e arritur e madhe. Sipas tij, fakti se tani e tutje të gjitha lëndët do të trajtohen në Prishtinë, do të thotë se do të rritet efikasiteti në punë dhe transparenca.
“Gjyqtaret e Departamentit Special kanë para vete një punë të madhe, rezultatet e të cilës duhet të jenë sa më të mira, për të mirën e shtetit dhe të gjithë qytetarëve”, tha Peci.
Kryetari i Gjykatës se Apelit, Hasan Shala, ndërkaq u shpreh se sot është një dite kthese për drejtësinë në Kosovë.

“Nga tash e tutje aktakuzat e prokurorisë Speciale do të trajtohen në nivel më profesional. Nga sot, do të ketë më shumë arsye për të punuar, e më pak për t’u justifikuar. Unë kam besim tek gjyqtarët e Departamentit Special, të cilët jam i bindur gjyqësorin e Kosovës do të dërgojnë në një tjetër nivel”, tha Shala.

Nga ana e saj, kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyçi pohoi se krijimi i Departamentit Special në Gjykatën që ajo drejton ishte domosdoshmëri, dhe kjo sipas saj do të ndikoj në luftimin e krimit e korrupsionit.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte edhe përfaqësuesi i Ambasada Amerikane, zt. Constantine Soupios, i cili e vlerësoi lartë funksionalizimin e këtij departamenti.

“Sot është një ditë e rëndësishme për Kosovën, dhe themelimi i Departamentit Special paraqet një hap para në ngritjen e efikasitetit, shkathtësisë dhe pjekurisë së sistemit të drejtësisë së Kosovës. E përgëzoj KGJK-në për punën e palodhshme gjatë muajve të kaluar në hartimin e rregulloreve për funksionalizimin e departamentit dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të punojnë në të”, tha Soupios.
E pranishme në këtë takim ishte edhe përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. AnnaMaria, Douves.